Gazeta "ODRIE" NR.51

FAQE E PARE Fotoalbum  Gazeta "ODRIA" NR.57   Gazeta "ODRIA" NË INTERNET  Gazeta "ODRIA" NR.59-69 Blog Gazeta Odria nr.71 ARKIVA Odria70



 

 

GAZETA ODRIA 51.

1.   NDERIM E RESPEKT SI NJË HOMAZH PËR PROFESORIN TIM TË UNIVERSITETIT,  VANGJEL MEKSI

2.    NE KUADER TE 65 VJETORIT TE ÇLIRIMIT TE ATDHEUT

3.    Dokumente të reja me vlerë historike per Kursin Normal te Laboves. 

4.   U PËRKUJTUA ME SOLEMNITET 66-VJETORI I KRIJIMIT TË  BATALIONIT PARTIZAN "MISTO MAME"

5.    NJERËZ  ME  KËNGË

6.    CA GJËRA NUK DUHEN THËNË ME ZË TË LARTË

7.    NJERIU QË JETOI NË DY SHEKUJ

8.    NË KËRKIM TË RRËNJËVE

9.    Bankieri dhe filatelisti lekliot, Neofit Ciko

10.  PËRMALLIMI

11.  TE KUJTOJ E QAJ ME LOT

12.  AUTORË DHE BOTIME

 

 

NDERIM E RESPEKT SI NJË HOMAZH

PËR PROFESORIN TIM TË UNIVERSITETIT,  VANGJEL MEKSI

 

 

            Në vitin 1962, pas shumë përpjekjesh, m'u dha e drejta për të ndjekur Fakultetin e Drejtësisë në USHT, me shkëputje nga puna.

            Kjo vërtet ishte një arritje e gëzueshme për mua, sepse m'u plotësua dëshira e kahershme, por, në të njëjtën kohë, ishte edhe një përgjegjësi e madhe që duhej justifikuar. Sepse  shteti më jepte mundësinë të shkollohesha për të dalë jurist i mirëfilltë dhe, në të njëjtën kohë, më siguronte edhe rrogën, sikur të isha në punë.

            Në këto rrethana, isha i ndërgjegjshëm se nuk do ta kisha të lehtë që, në atë moshë jo rinore, të ballafaqohesha e të konkuroja me studentët, sepse ata, me moshën e tyre të re, kishin një memorje të freskët e jo të stërmunduar si e imja; ata qenë të zhveshur nga çdo angazhim familjar, ndryshe nga unë që isha i martuar e me tre fëmijë të parritur akoma, pra, të  gjitha këto, në kompleksin e tyre, përbënin faktorë frenues për mua.

            Megjithatë, isha optimist se ato vështirësi do të kapërceheshin, duke arsyetuar se edhe unë kisha disa avantazhe të tjera në krahasim me studentët e tjerë:  ishte dëshira ime e madhe për të mësuar,  një ndjenjë përgjegjësie më e madhe se ata, kisha një kulturë e praktikë pune, një mendim intelektual më të përpunuar e më të pjekur se ata.

            Dhe vërtet, gjatë viteve në universitet, u dallova për studim e përgatitje serioze e sistematike. Punoja gjer natën vonë dhe shkoja kurdoherë i përgatitur. Pedagogët më merrnin si shembull për përgatitje me nivel. Materialet e seminareve në të cilat diskutoja, merreshin si model nga duhej të mësonin studentët. Për më tepër, më kishin dhënë në patronazh studentë të dobët, që duhej t'i ndihmoja nga afër.

            Gërshetimi në mënyrë racionale që i bëja  teorisë me praktikën që kisha prej disa vitesh në veprimtarinë shtetërore, përbënin një bazë shumë të mirë në arritjen e rezultateve.

            Ishte pikërisht  rrjedhojë e këtyre vlerësimeve dhe asaj pune këmbëngulëse fakti që në të gjitha provimet që dhashë gjatë viteve në universitet, u vlerësova me nota shumë të mira.

            Por, dua të nënvizoj me një theks të veçantë se, veç rrethanave të sipërme, një faktor me rëndësi në arritjet e mia ka qenë mësimdhënia  me nivel tepër të lartë e shkencor e pedagogëve të Fakultetit Juridik, të kollosëve të drejtësisë shqiptare të asaj periudhe, si Prof. Luan Omari, Andon Sallabanda, Kristo Çevi, Vasil Trimçevi, Nonda Papuli, Grigor Gjika, Dhimo Dhima etj., veçanërisht e Profesor Vangjel Meksit, e këtij juristi me kulturë të gjerë europiane, i cili vinte në atë fakultet pas disa detyrash  të rëndësishme, sikurse ishte në fillim ajo e zv.Prokurorit të Përgjithshëm dhe më pas drejtues i Zyrës Juridike pranë kryeministrisë, si një specialist i rrallë në përgatitjen e projekt-ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore, që delnin në bazë e për zbatim të ligjit.

            Profesor Vangjel Meksi në atë periudhë jepte një lëndë sa të vështirë aq edhe abstrakte, sikurse ishte e Drejta Romake, përmbajtja e së cilës përbëhej nga përcaktime e terma juridike tepër strikte. Por ai, me atë metodën e tij tepër sqaruese e konkrete, na i ngulte ato lëndë në kokë si me gozhdë.

            Duke qenë kështu, si dhe nisur nga fakti se Profesor Vangjeli ishte një labovit i nderuar dhe nga një fis me histori të lashtë atdhetare, detyrimi im karshi tij ishte i dyfishtë dhe me një ngarkesë përgjegjësie të lartë, për të qenë çdo herë i përgatitur, veçanërisht në provimin përfundimtar të lëndës së tij.

            Megjithatë, ç'është e vërteta, nuk pata asnjë parandjenjë për atë që do të më ndodhte në provimin përfundimtar të së Drejtës Romake. Ç'ndodhi? Duke ndjekur rendin alfabetik, hyra për të dhënë provimin. Profesor Vangjeli, me atë natyrën e tij të qetë e tepër serioze, më tha: "Ti djalë do vish në fund për të dhënë provimin!"  Për një çast shtanga, se nuk  e  prisja një gjë të tillë, por dhe nuk guxova ta pyesja përse duhej vepruar kështu, në një kohë që studentët e tjerë hynin në provim sipas radhës.

            Pa e zgjatur dola, por me një ndjenjë paksa të trazuar. Po vrisja mendjen se çfarë do të ndodhte. Gjithsesi, duke njohur korrektësinë dhe objektivitetin  e tij, nuk prisja kurrsesi ndonjë rrethanë dëshpëruese.

            Ndërsa mendimet e mia vërtiteshin sa andej këndej, sikurse dhe vetë unë që i bija koridorit poshtë e përpjetë, i erdhi fundi "maratonës". Si kishin përfunduar provimin gjithë studentët, hyra në auditorin e provimit. Sakaq, profesor Vangjeli, pasi mblodhi regjistrin dhe shënimet që kish aty mbi tavolinë, m'u drejtua: "Tani hajde me mua të japësh provimin". Po çuditesha kur po e ndiqja prapa. Ai hyri në sallën e pedagogëve dhe unë bashkë me të.

            Duke iu drejtuar kolegëve të tij që ndodheshin aty, si Prof. Andon Sallabanda, Grigor Gjika, Luan Omari, nuk di dhe kush tjetër, Profesor Vangjeli u tha: "Ky student është bashkëfshatari im. Gjykova që  do të ishte më mirë që provimin ta japë këtu para jush për të parë se sa i përgatitur është dhe çfarë vlerësimi  meriton."

            E ndërsa pedagogët e pranishëm ia dhanë të qeshurit, duke e menduar këtë si një moment humori të zakonshëm të Profesor Vangjelit, i cili, me sa dukej, kishte në natyrën e tij edhe qëndrime të tilla me kolegët e vet, unë e ndjeva veten tepër ngushtë. Në ato çaste mendoja se a do të mundesha të justifikoja atë që kërkonte profesori im, apo do ngecja diku e do ta zhgënjeja atë.

            Ndërkohë Profesor Vangjeli më zgjati tezat e provimit. E mora njerën prej tyre dhe i hodha një sy shpejt e shpejt asaj. Një ndjenjë gëzimi më pushtoi tërë qenien time. Konstatova se atë e dija mirë. Fillova përgatitjen. Kur kisha përfunduar, Profesor Vangjeli më tha: "Nëse u përgatite, mund të fillosh." Pasi u përgjigja për të tri pyetjet e tezës, m'u duk se u çlirova nga një ankth. Por jo, nuk ishte  e thënë. Profesor Vangjeli, ndërkohë më tha: "Mirë, mirë, por kam edhe disa pyetje". Dhe nisi me të parën e me radhë njera pas tjetrës, gjer në nëntë pyetje. Për fat, unë munda t'u përgjigjesha të gjithave.

            Si kisha përfunduar, në fytyrën e tij u duk një ndjenjë kënaqësie. Ndërkohë u ngrit nga karrigia dhe me dy duart të vendosura në tavolinë, iu drejtua kolegëve të tij me një buzëqeshje të çiltër: "Tani më thoni, të dashur kolegë, a e meritojmë ne labovitët të konsiderohemi vatra e jurisprudencës?" Ata, sërish qeshën  me të madhe,duke ia kthyer: "Po pse, për këtë na e solle Odhisenë këtu? Ne e dimë që ai është student i mirë." "Po, po", u përgjigj Prof. Vangjeli, i cili ndërkohë më dha dorën dhe më   falenderoi që nderova atë dhe veten time.

            Në përfundim të këtij shkrimi, e konsideroj të nevojshme të nënvizoj se evidentimi i kujtimeve të tilla për figura e personalitete si ajo e Prof Vangjel Meksit, është jo vetëm  një homazh, por dhe një detyrim moral e shoqëror, të cilat i bëjnë nder Labovës sonë të dashur e më gjerë.

 

                

                                                                                     ODHISE PORODINI

 

 

NE KUADER TE 65 VJETORIT TE ÇLIRIMIT TE ATDHEUT

 

Mbresa nga takimi i 66 vjetorit te krijimit te Çetës "Prokop Meksi" të Rëzës Tepelenë dhe 65 vjetorit te rënies në betejë të komisarit

Polo Bezhani

 

Në kuadrin e 65 vjetorit te çlirimit të Atdheut, shoqata "Odrie-Golik" në bashkëpunim me Komitetin e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare, te rretheve Tepelene e Gjirokaster, përkujtuan 65 vjetorin e rënies në betejë të komisarit Polo Bezhani dhe 66 vjetorin e krijimit të Çetës "Prokop Meksi" të krahinës së Rëzës Tepelenë, që ai e themeloi së bashku me komandantin Thimjo Muçi dhe 28 partizanë të fshatrave Kodër, Lekël, Hormovë, Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël, dy ngjarje të ndodhura përkatësisht më  21 dhe 7  Korrik të viteve 1944 dhe 1943.

          Me këtë rast pjesëmarrësit u takuan pranë Urës së Subashit, ku u krye aksioni më i rëndësishëm i Çetës së Rëzës, kundër autokolonës së fashistëve italianë, që lëvizte në drejtimin Girokastër-Tepelenë, pranë fshatit Hundëkuq. Aksioni u kurorëzua me shumë sukses, sikurse dhe ai i katër ditëve më parë në Labovën e Vogël, ku u rëzua avioni italian, që po bombardonte e mitralonte me objektiv asgjësimin e çetës. Partizanët trima të Çetës së Rëzës iu përgjigjën me zjarr të përqëndruar të armëve dhe e rrëzuan duke e shkatërruar plotësisht.

          Pjesëmarrësit në takim ishin veteranë, përfaqësues të familjeve të partizanëve të Çetës së Rëzës dhe të dëshmorëve të rretheve Tepelenë e Gjirokastër. Përmendim shoqet dhe shokët: Vera Sako, Hodo Liço, Engjëllushe Lala, Magrip Murataj, Sulo Mihaj, Pëllumb Hysi etj.   Edhe pse ende të rinj shumë në moshë, ato vite të zjarrta, i burrëruan para kohe. Ata rrëmbyen armët e i dolën zot Atdheut për të luftuar pushtuesin.

          Pas veprimtarisë pranë Urës së Subashit, pjesëmarrësit qëndruan në mjediset e lokalit më të afërt, ku drekuan e sollën kujtime për betejat, dëshmorët dhe partizanët e çetës, duke u ndjerë të mirëpritur nga i zoti i lokalit Drini Peta dhe Sekretari i Komunës "Andon Poçi", zoti Vangjel Stathi, që sponsorizoi aktivitetin, ndryshe nga drejtuesit e Komunës Qendër Tepelenë dhe pleqësitë e fshatrave, të cilët edhe pse morrën njoftim për këtë veprimtari u treguan indiferentë e nuk morrën pjesë.

          Gjatë drekës, që u shoqërua nga këngët polifonike për dëshmorët, trimërinë e partizanëve dhe Luftën Nacionalçlirimtare, la mbresa tek të pranishmit fjala e komandantit të Çetës së Rëzës, nëntëdhjetvjeçarit Thimjo Muçi, i cili me shumë emocion solli kujtimet e tij për krijimin e çetës, betejat kryesore, dëshmorët e partizanët e saj trima, që morrën pjesë në formacionet më të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare e luftuan deri në çlirimin e Atdheut.

          Me shumë vëmendje të pranishmit dëgjuan kujtimet e mbesës dhe nipërve të dëshmorëve Polo e Arqile Bezhani, që siç kishin mësuar nga babai i tyre, emrin e Ilirit, lindur në kohën që Poloja ishte në burg, e kishte zgjedhur Poloja në momentin kur me mbështetjen e shokëve dhe zgjuarësinë e tij arriti të dilte nga burgu i Vlorës. Pas kësaj, me porosi të Qarkorit ai kaloi  menjëherë në "Çetën Plakë", e më pas në krahinën e Rëzës  së Tepelenës për të organizuar lëvizjen partizane në këtë krahinë.

          Në emër të Kryesisë së shoqatës "Odrie-Golik", përshëndeti me këtë rast Nënkryetari i shoqatës Miltiadh Muçi. Të pranishmit ndoqën përshëndetjen dhe urimin e tij për luftëtarët e Çetës së Rëzës. Ndër të tjera ai theksoi: "Kur flet për historinë e një formacioni të vogël partizan, siç është Çeta "Prokop Meksi" e Rëzës, kujton dhe flet për Ushtrinë fitimtare Nacionalçlirimtare; të flasësh dhe përkujtosh dëshmorin Polo Bezhani, bën të kujtohen e të sjell në mendje gjithë dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare; të flasësh për luftëtarë të veçantë të Çetës së Rëzës është njësoj sikur flet për gjithë pjesëmarrësit e saj, nga të cilët janë të pakët ata që jetojnë dhe disa prej tyre të pamundur për të marrë pjesë në këto veprimtari për shkaqe shëndetësore dhe ekonomike. Por edhe pse vitet kalojnë ata do të kujtohen e nderohen gjithnjë  për veprën e tyre të lavdishme, pavarësisht që disa politikanë shqiptarë me paturpësi pretendojnë "të harrohet Lufta Partizane", lufta që këta bijë e bija të popullit tonë e nisën dhe e çuan deri në fitore mbi nazifashizmin, duke e rreshtuar Shqiperinë në radhë me vendet antifashistë fitimtarë, që çdo 9 Maj e përkujtojnë fitoren mbi fashizmin, kudo në botë, me festime madhështore.

          Pas tre orësh qëndrimi bashkë, vjen dhe momenti i ndarjes. Pjesëmarrësit ndahen nga njëri tjetri me mallëngjim dhe largohen në drejtim të Gjirokastrës, Tepelenës e Tiranës, me urime për tu takuar në përvjetorin e 70 të krijimit të çetës.

 

Marre nga gazeta "Kushtrim Brezash", date 7 gusht 2009

 

Dokumente të reja me vlerë historike per Kursin Normal te Laboves.  

Nga dr. Sofokli Duka

 

Dokumentet  historike.

 

Në bazë të thirrjes se redaksisë së gazetës "Odria", për të paraqitur  pranë saj dokumente dhe relike me vlera historike, që i perkasin fondit kulturor të krahinës së Rrëzës, përfaqësues të fisit Bezhani, me origjinë nga Lekli dhe konkretisht Z. Anastas Bezhani, dorëzoi ditët e fundit pranë kësaj redaksie, një fond të konsiderueshëm, me vlera të rralla historike dhe kulturore, që ju përkasin shekullit të 18-të e 19-të. Kryesia e shoqatës dhe redaksia e gazetës "Odria", i përcjell falenderimet më të sinqerta Z.Anastas dhe i premton atij se të gjitha dokumentet do të gjejnë pasqyrim në faqet e gazetës, duke filluar qysh nga ky numur dhe në edicionet e ardhëshme të botimit të saj, duke u munduar që ato të plotësohen dhe pasurohen   edhe me analiza, komente dhe dokumente të tjera. Ndërkohë Ju bëhet thirrje edhe anëtarëve të tjerë të shoqatës të ndjekin shëmbullin e shkëlqyer të fisit të nderuar Bezhani. Më konkretisht në këtë shkrim, do të flasim për dëftesën e aftësisë së   Kursit Normal të Arsimtarëve te Labovës,    fotografinë e pjesëmarrësve të këtij kursi, si dhe për kursin Normal të  Shpejtë të  Gjirokastrës.

 

Deftesa e aftesise.

 

 

 

Deftesa e  aftesisë me të cilën u pajisën, kursantët që përfunduan kursin Normal të Labovës, ju jepte atyre të drejtën për të qënë arsimtarë per shkollat fillore të Shqipërisë. Konkretisht,  dëftesa në fjalë i përket  Z.Prokop Bezhani,  lindur me 23 dhjetor  1897, ne Lekel të rrethit të Tepelenës, i besimit të  krishterë, orthodhoks. Sipas kësaj  dëftese, apo dëshmie,  ai ka ndjekur kursin normal, ne Labove  të rrethit Gjirokastër, i cili  filloi me 3 gusht 1921 dhe perfundoi  me daten 26 tetor 1921. Kursi vazhdoi per nje periudhe kohe 3 mujore, duke perfshire edhe ditet e provimeve. Pas kursit kursantet ju neneshtruan provimit te rregullt. Kursantët më të mirë, ata që përfituan notat më të larta në  provimin përfundimtar, përfshi këtu, Z.Prokop Bezhani, u titulluan si mesues te klasit te pare per shkollat fillore te Shqiperise. Deshmitë jane ndare me daten 30 tetor 192, datë kjo që presupozon edhe ditën e përfundimit të kursit. Mesues te kursit ishin: Kole Mragjini dhe  Hysen Babameto, ndërsa drejtor i kursit Thoma Papapano. Vula e dëftesës,  i perket Drejtorise së Arsimit Gjirokaster, e cila llogjikisht  duhet të jetë edhe organizatorja dhe drejtuesja e ketij kursi,   kuptohet nen vartesine e Ministrise se Arsimit. Nga ky  dokument, me një vështrim të thjeshtë, duke i lënë mënjanë analizat e hollësishme,    na jepet mundësia të plotësojmë një sërë elementësh të rëndësishëm që mungonin në tablonë e përgjithshme  të këtij evenimeti të rëndësishëm për krahinën tonë e konkretisht, Labovën, si: ditën e fillimit dhe mbarimit të kursit, organizatorin,  drejtorin dhe mësonjësit e tij, moshën mesatare të kursantëve, seriozitetin e kursit, dokumentete me të cilat u pajisën kursantët pas përfundimit të kursit, faktin që Labova në vitin 1921, ishte nën juridiksionin e rrethit të Gjirokastrës etj. Në botimet e deritanishme për këtë ngjarje, këto të dhëna të imta, pothuajse mungojnë, ose paraqiten ne mënyrë të përgjithshme.

Vlen të theksohet, se Prokop Bezhani i eshte neneshtruar edhe nje kursi tjeter     në   vitin 1925,  ne Gjirokaster, i cili u quajt Kursi Normal i Shpejte i Gjirokastres. U ndoqen mesimet e Grupit e A e B.  Kursi filloi me 15 korrik 1925 dhe perfundoi me 15 shtator 1925,   plot 2 muaj. Ne provim  ai mori noten 1, qe ishte nota me e larte.  Mesues të kursit ishin  Th. Papapano, E Shtino dhe  D. Vavaku, ndërsa drejtor,  Kole Margjini dhe inspektor i arsimit Iasi Minga.

 

Fotografia

 

 

 

Eshte fotografi e kursit normal te Laboves,  ne vitin 1921. Mund te jete e fillimit, por ka të ngjarë  të jetë e  perfundimit te kursit, pasi disa nga kursantet mbajne në dorë nga nje dokument, i cili ështëi i njëjtë  me deshmine e kursit, për  te cilin  folëm më lartë.  Në fotografi dallohen  rreth 80 kursante, si dhe  3 arsimtarë  e drejtues te kursit. Ne krye të podiumit dallohet Thoma Papapano e Kolë Margjini.  Podiumi, është i zbukuaruar me nje kurore gjethesh dafine e     ulliri, si dhe  lulesh te fresketa labove. Ne qender shquhet  stema e kursit: "Kursi Normal i Laboves".  Kursantet janë  te moshave te ndryshme, nga te rinj, të cilët janë pjesa dërmuese,  deri tek me te rriturit, disa edhe mbi 40 vjeç, të cilët, sipas veshjes, ju përkasin  krahinave te ndryshme, përfshi këtu, të paktën Shqipërinë e Mesme. Fotografia është realizuar  ne hyrje te shkolles se Laboves dhe tek shkallet e saj, aktualisht Monument Kulture. Fotografi te tjera jane bere ne kete vend dhe me kete pamje edhe ne vitet ne vazhdim, me nxenesit e shkolles shqipe te Laboves. Në bazë të hulumtimeve të studiuesve labovitë Foto Toti e Thanas Meksi, këtë kurs e kanë ndjekur edhe patriotët tanë: Qirko Rexhi, Petro Xhavara, Miho Deduli, Sokrat Meksi,  Koço Hila, etj, të cilët më pas shërbzen si arsimtarë në fshatrat e Rrëzës Ndonjerin prej tyre mundëm ta dallonim  edhe në këtë fotografi, ndërsa për të tjerët një gjë të tillë mund ta bëjnë të afërtit e tyre, gjë për të cilën janë të lutur të na njoftojnë. Këto dokumente do të pasurojnë më tej muzeumin e arsimit në Labovë, i cili shpresojmë të ngrihet së shpejti.

 

                                                                          

 

 

 U PËRKUJTUA ME SOLEMNITET 66-VJETORI I KRIJIMIT

TË  BATALIONIT PARTIZAN "MISTO MAME"

 

- Mori pjesë dhe përshëndeti N/Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve

të LANÇ sh. Odhise Porodini, njëherazi dhe N/Kryetar i Shoqatës

"ODRIE-GOLIK"

 

            Në  datën 16 gusht 2009, në Shëntodhër të Lunxhërisë në Gjirokastër, u përkujtua 66-vjetori i krijimit të Batalionit Partizan "Misto Mame".

            Në këtë ceremoni morën pjesë ish partizanë të këtij formacioni luftarak, pjestarë të familjeve të dëshmorëve të këtij batalioni,veteranë e pasardhës, të ardhur nga fshatrat e Lunxhërisë e nga qyteti i Gjirokastrës. Ndodheshin, gjithashtu, Kryetarja dhe Sekretari i Komitetit të Veteranëve të Gjirokastrës, përkatësisht Vera Sako e Kasem Lamaj, si dhe Kryetari i Organizatës së familjeve të dëshmorëve të LANÇ të Gjirokastrës, Hodo Liço.

            Pas vendosjes së kurorave në lapidarin kushtuar heronjve e dëshmorëve të LANÇ të Lunxhërisë, ceremoninë e hapi Kryetari i Komunës së Lunxhërisë, zoti Ilia Kuro, i cili bëri një historik të shkurtër të këtij batalioni.

            Më pas, nënkryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, shoku Odhise  Porodini, pasi i përshëndeti të pranishmit në emër të Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Veteranëve, të Kryesisë së Organizatës Kombëtare  të familjeve të dëshmorëve si dhe të Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ, ndër të tjera vuri në dukje se Batalioni Partizan "Misto Mame"u krijua më 16 gusht 1943 në fshatin Stegopul, në kujtim të të cilit është ngritur një lapidar madhështor, batalion i cili u krijua në kulmin e luftës kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, si një formacion luftarak që mori përsipër një mision të lartë atdhetar.

            Më poshtë shoku Odhise theksoi se batalioni   "M.Mame" u krijua mbi bazën e katër çetave partizane, si ajo e "Prokop Meksit", "Mihal Durit", "Lato Brahos" e "Sabaudin Gabranit, të dala nga gjiri i krahinave të Rrëzës, Lunxhërisë, Libohovës e më gjerë, krahina këto baza të rëndësishme të LANÇ, me 384 djem e vajza trima të këtyre krahinave e nga qyteti i Gjirokastrës, të cilët, të frymëzuar nga heroizmi i djemve lunxhotë Misto  Mame e Mihal Duri, rrokën armët dhe i dolën zot vatanit. Komandant i këtij batalioni u caktua patrioti trim  Lipe Boga, komisar intelektuali i mirënjohur gjirokastrit Zini Sako, zv.komisar Vasil Kati dhe zv.komandant Misto Çipi.

            Por, Batalioni "Misto Mame", theksoi sh. Odhise, pati dhe mjaft kuadro që komandonin kompanitë përbërëse të këtij batalioni, si Thimjo Muçi, Sotir Mero, Miço Boga, Pano Xhixho, Polo Bezhani, Isuf Çobani, Vasil Miçi, Skënder Kumbaro, Piro Koçi, Gjolek Kokona, Nane Kutra, Luto Haxhi, Maze Ruçi, Koço Koçi, Agron Çomo etj., aftësitë drejtuese dhe trimëria e të cilëve ishin provuar si komandantë e komisarë çetash, apo në beteja të zhvilluara më parë.

            Kuadrot  komanduese të Batalionit "M.Mame", - vazhdoi Odhise Porodini, - duke bashkëpunuar ngushtë me njësitet guerile të fshatrave dhe me mbështetjen  e plotë të popullit të këtyre krahinave, e udhëhoqën këtë njësi në një varg betejash luftarake kundër forcave pushtuese dhe bashkëpunëtorëve të tyre, sikurse  kanë qenë: ajo kundër garnizoneve italiane në Libohovë, kundër forcave gjermane në Qafën e Muzinës, në luftën e Borshit, të Sarandës, Spilesë, Himarës, Kurveleshit, në krahinën e Theollogos, në Tendën e Qypit, në rrethinat e Peqinit, etj., në të cilat u shpalos me tërë madhështinë e vet shpirti i sakrificës dhe i vetmohimit, i guximit dhe patriotizmit të partizanëve dhe kuadrove, duke hapur një faqe të ndritur në historinë e Shqipërisë, atë të çlirimit të Shqipërisë.

            Në themel të kësaj fitoreje të madhe të ushtrisë së  ANÇ, ku përfshihej edhe Batalioni "M.Mame", - nënvizoi folësi, -  është gjaku i 28 mijë dëshmorëve, midis të cilëve edhe i 61 bijve e bijave të pavdekshëm të këtij batalioni, ndaj të cilëve populli shqiptar përulet me respekt të thellë për aktin sublim të tyre.

            Prandaj, të mbrosh sot gjakun e të rënëve dhe idealet dhe vlerat e LANÇ, - u tha më tej, - është detyrë jo vetëm e shenjtë, por dhe patriotike, kundër atyre përpjekjeve të dëshpëruara që bëhen për denigrimin  e tyre. Këtij qëllimi madhor i shërbejnë edhe organizimi i këtyre veprimtarive, sikurse është edhe ky i sotmi, për të cilin gjej rastin të përshëndes organizatorët e tij, veçanërisht kryetarin e Komunës së Lunxhërisë, zotin Ilia Kuro, për kontributin që dha në realizimin e tij.

            Por viti jubilar i 65-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, që do të festojmë këtë vit, më 29  Nëntor, do të përcjellë edhe shumë ngjarje të tjera të LANÇ, për të cilat kërkohet një angazhim e pjesëmarrje më e madhe nga të gjitha strukturat përkatëse, - përfundoi fjalën e tij shoku Odhise.

            Më pas, pjesëmarrësit morën pjesë në një koktej që shtroi kryetari i Komunës së Lunxhërisë, zoti Ilia Kuro, në të cilën u ngritën gotat për luftëtarët e Batalionit "M.Mame" dhe në kujtim të dëshmorëve, si dhe u kënduan këngë për trimëritë dhe të rënët.

 

                                                                 

                                                                              Korrespondenti i Gazetës "Odria"

 

-----------------------

24.08.2009

 

 

APOSTOL DUKA

 

                                              NJERËZ  ME  KËNGË

 

            Janë vërtet të tillë. Që nga i madhi Spiro Stoja, një nga luftëtarët e mëdhenj të kohës së Rilindjes Kombëtare dhe deri te Sofo Meksi, një nga dëshmorët - emblemë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. E vërteta është se Sofo Meksi ishte një partizan i ri dhe i thjeshtë mes të thjeshtësh. Pas një veprimtarie modeste në luftën ilegale të njësiteve guerile të Durrësit, ai u kthye në fshat dhe u inkuadrua menjëherë në radhët e çetës partizane "Prokop Meksi". Për fat të keq, në një moshë shumë të re, ra dëshmor. Nuk ka fare rëndësi se si e qysh. E rëndësishme është se jetën e tij të re ia fali lirisë së Atdheut, se gjakun e tij të kulluar  dhe gjithçka që kishte më të shtrenjtë e dha për Shqipërinë.

Ndërkohë, lulja e djalërisë së Labovës dhe gjithë Rrëzës ishte përfshirë pa rezerva në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, që në fillimet e saj. Prokop Meksi ishte në Durrës një nga ilegalët e sprovuar dhe drejtuesit e rëndësishëm të Qarkorit dhe pati një fund aq heroik, duke u bërë i denjë për t'u krahasuar me Vojo Kushin e Perlat Rexhepin dhe për t'i dhënë pastaj çetës së parë partizane të krahinës sonë emrin e tij të ndritur e të pavdekshëm. Lame Koletia, Miho Cikua e Pilo Noti ishin në Tiranë ilegalë e atentatorë me emër, të lidhur shumë ngushtë me Mihal Durin e Misto Mamen. Thoma Tola e Theofan Kozmai ishin në Labovë drejtues të guximshëm e aktivë të Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit, Orest Papavangjeli e Margo Koletia ishin radhitur prej kohësh në rreshtat partizane. Para tyre, luftëtar i vijës së parë kishte qenë Gjergjo Stefani, i pari dëshmor i gjithë Rrëzës, vrasja e të cilit me tradhti u përfol aq shumë.            

            Secili  nga këta që përmendëm më lart, e fali jetën dhe gjakun e kulluar për lirinë e Atdheut, çdonjëri nga ata bëri gjestin më sublim që kërkohej prej tij në atë kohë të trazuar. Dhe, duhet thënë se secili nga ata kishte ndoshta më shumë përvojë luftarake se Sofo Meksi, ai djalë aq i ri e i bukur, aq i brishtë e delikat, i cili, pas një veprimtarie modeste me njësitet ilegale të Qarkorit të Durrësit, u kthye në fshat dhe u radhit mënjeherë në Çetën Partizane "Prokop Meksi". Secili nga dëshmorët tanë do ta meritonte një këngë a një baladë heroike, por ja që telat e zemrës së poetit anonim u drodhën vetëm kur në fushën e nderit ra Sofo Meksi. Dhe këndoi: "Mu te Borshi, më të dalë, / Lule, Sofo, Lule djalë!..."

            Përse vallë? Ndoshta sepse Sofua ishte ndër të parët që binte në fushën e betejës dhe poeti, që duket se ka qenë ndonjëri nga bashkëluftëtarët dhe shokët e fëmijërisë së Sofos, e ndjeu aq shumë dhimbjen, sa që kënga i rrodhi vetvetiu që nga thellësitë më të mëdha e më të fshehta të shpirtit të tij të ndjeshëm. Po përse jo për të tjerët? Se pranë tyre nuk u nodh një poet si ai shoku i fëmijërisë së Sofos, se njerëzit u mësuan dalëngadalë me dhimbjen për të rënët, se kënga ka sekretet e saj të pashpjegueshme; ajo ngjit vetëm njëherë dhe jo përherë (çka do të thotë se edhe për dëshmorët e tjerë janë bërë patjetër këngë, por ato nuk i kanë rezisuar kohës shumë gjatë).

            Dhe, kështu, Sofua mbeti në këngë. Dhe për të, që në ditët e luftës, u këndua e u kërcye me aq pasion nga Jugu në Veri, kudo ku luftohej për lirinë e vendit. Këndohet natyrshëm edhe sot e do të këndohet ndoshta edhe në shumë e shumë kohë e breza pas nesh. Ne do të na harrohet edhe emir ndoshta, por Sofo Meksit kurrë. Sepse ky është privilegji që të jep kënga, se kënga që mbetet e shtrihet në kohë, është e përjetshme. Arsyet se përse ndodh kështu e jo ndryshe, janë të shumta, të ndërlikuara dhe sigurisht të pashpjegueshme. Këtë e dinë të gjithë, ata që këndojnë dhe ata që bëjnë këngë, por jo të gjithë janë në gjendje ta kapin atë çast të papërsëritshëm që lind këngën.

            Vangjel e Kostandin Zhapa ishin ndër multimilionerët dhe bamirësit më të mëdhenj të shekullit të 19-të. Ata i kishin të gjitha lidhjet dhe mundësitë të gjenin dhe të paguanin më të mirët, që të bëhej më në fund një këngë për ta, por kjo nuk ndodhi, në mënyrën më paradoksale. Për ta, në disa shtete të Ballkanit u shkruan e vazhdojnë të shkruhen libra e vëllime, jetëshkrime, monografi e studime të tëra, u ngritën e ndoshta përsëri do të ngrihen monumente, buste e memorial, po një këngë të vërtetë nuk pati kurrë, për fat të keq. Sepse kënga ka logjikën e saj të çuditshme, ajo nuk e pranon propagandën dhe fjalën pa nerv e ndjenjë, ajo nuk mund të mbijetojë po nuk doli thellë nga zemra. Se kënga e vërtetë nuk ka të paguar dhe të blerë me para. Pasi e thotë zemra, ajo shtegëton tërë naze atje ku e ka folenë, nga zemra në zemër dhe nga brezi në brez.

            Mbeti ajo kënga e famshme për Spiro Stojën: "Kush e bëri proto fora, KapedanSpiro Labova, Lule, more  Spiro Stoja, / Lule, o Spiro Labova!..."

            Mbeti kënga e famshme për Sevo Cikon, që dinte të ishte njëkohësisht edhe një kaçak i egër mali, edhe një njeri i shquar i  salloneve më mundane të kohës, që jepte e merrte me mbretër e sulltanë dhe i thoshte vdekjes "Hiqmu tutje!..." Me të gjitha këto, poeti popullor këndoi vetëm për kaçakun dhe jo për njeriun e salloneve: "Ç'u këput një yll e ra, / Ç'u vra Sevo Cikua!... / Sevo, vetullakurorë, /  Dyfek maliher në dorë,  / Sorkadh e mustaqehollë, / Mespërmes çave Stambollë..."

          Dhe mbeti pastaj ajo kënga e bukur, e çuditshme dhe kuptimplote për një Dilo anonim, që mund ta kishte emrin Petro, Thoma, Ilo, Lefter, Dhimitër apo çfarëdolloj emir tjetër. Emri nuk ka fare rëndësi për poetin popullor, e rëndësishme është ajo që kërkon të thotë ai për të gjithë Diljat e përmendur të Labovës, i rëndësishëm është mesazhi që kërkon të përcjellë për marrëdhëniet absurde midis një fshati gjithsesi të vogël, ndonse i lashtë ndër të lashtët dhe me aq shumë histori dhe një qyteti me aq peshë e emër sa Gjirokastra, me njerëz të fuqishëm dhe pushtete të të gjitha llojeve. Por Dilua ynë nuk do t'ia dijë për të gjitha këto. Zemra e tij e fortë qëndron deri në çastet e fundit, ndaj kënga thotë me krenari: "Një dit-o, nga gjithë ditë, / Ç'u mblodhë gjirokastritë, / Të vinin Dilon në frikë. /  Edhe Dilua tha një falë: / Kush e vrau Belul aganë,  / S'jam Poga me Filipajnë,  /  S'jam Filipi dhe qir Poga, / Po jam Dilua nga Labova, / Mirë jesh e sado rrova!..."

          Kaq, vetëm kaq. Të tjerat, duhet t'i marrim vetë me mend dhe t'i interpretojmë ashtu siç i ndjejmë, duke hyrë dalëngadalë në meknizmin, labirintin dhe simdolikën e mistershme të këngës që të përjetëson. Ta këndojmë këngën me zë të ulët Brenda vetes dhe të admirojmë Dilon e madh. Dhe të sjellim ndërmend me nderim Vangjel e Kostandin Zhapën, Vangjel, Apostol e Jorgji Meksin dhe të gjithë atë plejadë Meksajsh të përmendur, xha Nane Panajotin, Vasil Konomin, Pano Xhorin, Spiro Dishon, Prokop Meksin, Gjergjo Stefanin, Foto Çamin, Rako Xhorin, Telo Muçin, Lame Çekanin, Thoma Notin dhe plot njerëz të tjerë të shquar të Labovës. Dhe të presim e të shpresojmë, sepse ora e këngës së tyre ende nuk ka ardhur. Por Labova jonë është sa sofra e madhe e këngës së vërtetë, aq edhe vendi i befasive dhe nuk i dihet asnjëherë çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.     

 

 

           

   

APOSTOL DUKA

CA GJËRA NUK DUHEN THËNË ME ZË TË LARTË

                             - Shkëputur nga libri "Unë, Oresti i vërtetë" që do të botohet së shpejti.

 

            Oresti: - Më mbeti në mendje biseda që bëmë dje për Pilon. Dhe më vjen shumë keq që nuk rroi edhe ca vite më shumë, që t'i gëzonte djemtë dhe të shihte ku arritën...

            - Babai jetoi sa deshi dhe na pa e na gëzoi. Dhe shumë mirë që nuk i arriti vitet nëntëdhjetë, se, me atë ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij të njohur, nuk do ta përballonte dot atë që na ndodhi neve, të gjithëve, pas vitit 1992...

            Oresti: - Njëherë, takova këtu në Tiranë të madhin Petro Marko, që e kam pasur mik. Më pa dhe më thirri që nga larg. Pa eja, pa eja, se kam qenë në Labovë, më tha. Dhe atje, jam kënaqur shumë e kam përjetuar një mrekulli të vërtetë. Më çuan në një familje dhe atje kam takuar një djalë të ri, - as të katërmbëdhjetat nuk i kishte mbushur - që ishte fenomen, shkruante këngë dhe vjersha aq të bukura, sa jam i sigurt se dikur do të bëhet një poet i madh. Mos e ka pasur fjalën për ty Petrua?

            - Jo, jo, ai ka takuar Arbenin. Ka shkuar në Labovë aty nga fillimi i viteve shtatëdhjetë, bashkë me Luan Qafzezin dhe Thoma Notin dhe dihej që Thomai do t'i çonte në shtëpinë tonë, e cila ishte gjithnjë e hapur për miq e shokë të largët. Dhe atje Petrua ka njohur Arbeni, i cili qysh atëherë shkruante pafund. Ai i lexoi vjershat e tij me një frymë, u befasua dhe i tha me gjithë zemër: "Ti do të bëhesh një poet i madh!..." Ndërsa mua, fjalë pothuajse të njëjta m'i ka thënë Zihni Sakua që në vitin 1960, kur isha ende nëntë vjeç. Petro Markon e kam njohur shumë mirë edhe unë dhe e kam pasur mik, sepse kam qenë në një klasë me të birin, Jamarbërin, kur studionim së bashku për gazetari. Dhe shumë nga librat e tij i kam në bibliotekën time me autograf...

            Oresti: - E sheh se si janë udhët e fatit? E sheh se sa i paracaktuar është ai? Unë kam njohur Kleon, vëllain tuaj të madh, që kur ai ishte në shkollën e mesme bujqësore në Kamëz. E doja shumë. Ishte i bukur si një yll, artist, i zgjuar, i veçantë. Një herë tjetër, do të flas më gjatë për të dhe do të tregoj ca gjëra që ti nuk ke si t'i dish. Ke qenë i afërt me Kleon?

            - Kam qenë, sigurisht. Kemi bërë së bashku edhe biseda që ai nuk i bënte me të tjerët, por jo edhe aq dendur. Kemi pasur një diferencë të madhe moshe dhe, nga ana tjetër, ai ka qenë i ftohtë. Ja, si puna jote.

            Oresti: - Pse, si jam unë?

-I ftohtë sa më nuk bëhet. Akull fare. Dhe një cinik i pandreqshëm, më keq se Sokrati i Greqisë së lashtë, që i bëri apologjinë vetes, kur e dënuan të pinte helmin, të cilin e përgatiti dhe e piu vetë. Edhe ti, gjithnjë ke ecur kundër rrymës, gjithnjë ke menduar dhe ke thënë të kundërtën e gjërave të pranuara botërisht dhe kjo të ka sjellë shumë telashe, apo jo?

            Oresti: - Ohu, sa të duash. Jeta ime nuk mund të kuptohet pa telashet dhe përplasjet, që nganjëherë më kanë rrezikuar edhe jetën...

            - Dhe gjithnjë, të vërtetat e tua, ke preferuar t'i thuash me zë të lartë në sy të të gjithëve, madje edhe i ke deklamuar ato dhe unë mendoj se ky ka qenë një nga gabimet e tua. Por ti ishe Oresti dhe nuk dije të flisje ndryshe...

            Oresti: - E përse duhej të flisja ndryshe? Dhe, përse nuk duhej t'i thosha të vërtetat e mia me zë të lartë?!...

            - Sepse ka edhe ca të vërteta që duhen thënë me zë të ulët, ose nuk duhen thënë fare, pasi dikujt ato mund të mos i pëlqejnë fare. Për shembull, nëse ti takon në rrugë një njeri që çalon, ose një të verbër, ose një të sëmurë nga kanceri, do t'iu thuash: "Ç'kemi, o çalaman?... Ku ishe, o qorr... Ç'bëhet andej nga fshati, o karqinomadh?..." Nuk mund t'i thuash këto fjalë, se do të ishin shumë të rënda dhe nuk mund të justifikohesh para të tjerëve me faktin se ke thënë të vërtetën, vetëm të vërtetën... Pastaj, e vërteta nuk mund të jetë universale dhe e përjetshme, ajo që është e vërtetë për ty, mund të mos jetë aq e vërtetë për mua, ajo që është e vërtetë sot, mund të mos jetë nesër...

            Oresti: - Ohu, nise nga predikimet tani, nga filozofia? I kam dëgjuar këto fjalë që para gjashtëdhjetëenëntë vjetësh, në seminar. Shumë mirë kam bërë që kam ecur kundër rrymës dhe që të gjitha të vërtetat e mia i kam thënë me zë të lartë. Dhe prapë do të flas! Kur flisja ashtu, njerëzit më largoheshin, por unë atë doja, të më linin me punët e mia, me bletët, me fidanët, me librat dhe gjërat e mia të pazakonshme...

 

 

 

                           NË PRAG TË VDEKJES, NJERIU KA NEVOJË TË RRËFEHET

-... Doje të më bëje një pyetje...

            Oresti: - E harrova, se nuk të lë ti, me gjithë ato histori që tregon. Shiko, vitet e mosha bëjnë të vetën. Inat e ambicie kam sa të duash edhe sot, por nuk jam më Oresti i parë. Harroj, i përsëris gjërat, dua të them një gjë dhe them një tjetër. Dhe jam shumë i shpërndarë, ka raste kur me trup jam këtu dhe mendja është gjetkë. Tek Eda në Itali, që mezi pres të më telefonojë, tek toka që kam në Bathore, ku dua të ndërtoj një kantinë vere, tek ato 1200 hektarët që kemi për të marrë në Sarandë dhe që do t'i marrim se s'bën, ehuu, ku nuk vete kjo e shkretë mendje... Ndërkohë, më parë e kam pasur trurin kompjuter. Mund të flisja lirshëm me ty dhe, njëkohësisht të mendoja edhe për katër-pesë gjëra të tjera, pa e humbur fillin e bisedës.

            - E kuptoj. Ti ke qenë një mendje e ndritur, me një zgjuarsi dhe inteligjencie të jashtëzakonshme, por tani vetëm shkëndijime ke, flet vetëm kur të feksin gjërat në tru. Por ti e kupton, besoj, që skleroza ka filluar të bëjë të vetën edhe tek unë e jo më tek një tetëdhjetetetë vjeçar. Je kujtuar vonë, shumë vonë dhe shumë gjëra kanë mbetur pas e janë harruar. Dhe ti nuk ke mbajtur as ndonjë farë ditari, as shënime, se gjithnjë je ruajtur që të mos lësh gjurmë në punët e tua.  Kur isha me shërbim në Burrel, Komiteti Kombëtar i Veteranëve shpërndau ca fletore të trasha, që kishin në kapakun e tyre prej kartoni shënimin: "Për ju, shokë veteranë". Mora nja tri e katër nga ato dhe ia çova babait. Dhe iu luta si Krishtit që të shkruante të paktën nja njëqind faqe nga kujtimet e tij të fëmijërisë dhe rinisë, për gjyshërit, prindërit, emrat e vendeve, historitë e pashkruara të Labovës. E luta deri në fund, por ai nuk i shkroi kurrë, iu duk një ndërmarrje shumë e vështirë, me sa duket. Edhe kur i thashë që ai të fliste dhe unë të mbaja shënime, nuk pranoi, nuk e linte sedra. Ima atë, vërtet nuk e kishte shkollën tënde, por edhe ai tregonte shumë bukur. Deri edhe imitonte zërat e njerëzve e të kafshëve, kur niste nga rrëfenjat e tij.

            Oresti: - E di, e di, dinte shumë rrëfenja Pilua. Dhe, për çdo gjë që ndodhte në jetë, kishte nga një përrallë të gatshme. Hë, se m'u kujtua diçka që nuk ta kam thënë dhe dua ta them tani, se mos e harroj: Kur vajza e Siko Dishos, Misia, u sëmur dhe filloi të lëngonte në shtratin e vdekjes, unë shkoja shpesh tek ajo. Shkoja edhe sepse dy familjet tona kishin pasur shumë miqësi dhe ne ishim gati moshatarë, por edhe sepse ajo vetë ma kërkonte një gjë të të tillë, sepse ndjehej shumë e vetmuar. Është e çuditshme, por Misia i dinte të gjitha historitë dhe lidhjet e fshehta të të dyja Labovave dhe të Tërbuqit dhe i tregonte ato me zë të ulët, pa asnjë lloj emocioni. Dukej sikur kishte nevojë të rrëfehej dhe të mos merrte me vete asnjë të fshehtë. Ja edhe kjo që po bëj unë me ty, diçka e tillë është, një lloj rrëfimi i gjatë. Unë po të tregoj të fshehtat më të mëdha të shpirtit tim dhe këtë e bëj me qetësinë më të madhe, pa u penduar fare, ose pa pasur frikë se ti mund t'i shpërdorosh ato dhe të më paraqesësh në një dritë të keqe. Tani, se përse më zgjodhi pikërisht mua për këtë punë, nuk e di, por më kujtohet se gati asnjëri nga njerëzit më të njohur të fshatrave tona nuk i shpëtoi gjuhës dhe mendjes së saj të mprehtë. Po, kur vinte puna tek Pilua, nuk gjente asgjë për të thënë dhe kalonte më tej. Misia tregonte ca gjëra që të rrëqethnin dhe t'i ngrinin leshrat e kokës përpjetë, po për Pilon nuk kishte çfarë të thoshte...

            - Më vjen mirë që m'i thua këto fjalë. Babai punoi tërë jetën nëpër shtëpitë dhe ngriti me duart e tij me qindra e qindra shtëpi. Për të, nuk kishte pushime e festa, punonte ditën e natën dhe kthehej në shtëpi në orët e vona. Në të shumtat e rasteve, ne, të vegjëlve, na gjente në gjumë.

            Oresti: - More, dua të të pyes: Vërtet, si nuk kemi frikë ne?!...

            - Epo, njëherë rron dhe njëherë vdes njeriu, po ta kalojë jetën me frikë, ç'i mbetet pastaj?

            Oresti: - Që kur kam qenë i vogël, unë e kam kaluar jetën nëpër pyje e shpella të frikshme, kam udhëtuar natën nëpër pyje, kam fjetur në foletë e skifterëve në Hone, që ishin të mbushur plot me gjarpërinj të ngordhur, kam pushuar në zgavra te lisave dhe rrepeve të lashtë, që ishin zakonisht çerdhe egërsirash dhe kurrë nuk më është trembur syri. Edhe në luftë, kështu më ka ndodhur. Kam qenë në zona krejt të panjohura. Ku më zinte dita, nuk më zinte nata dhe udhëtoja zakonisht i vetmuar. Dhe pothuajse gjithnjë nëpër pyje të errët dhe shpate malesh e kodrash, ku vetëm egërsira shihje dhe nuk takoje këmbë njeriu. Po do thuash ti se përse, duke i pasur gjithë këto cilësi të lindura, nuk punova në ushtri, por u bëra agronom. Se nuk desha, nuk më pëlqente karriera ushtarake! Po të isha bërë oficer, do të kisha mbetur trokë, si shumë nga të afërmit e mi, ndërsa agronomi nuk mbetet kurrë fukara. Po frikë nuk kam pasur. As atëherë dhe as sot... Përse vallë?!...

            -Epo, kaçak e fis kaçakësh, ç'të thuash tjetër?

            Oresti: - Ashtu, ashtu. Kjo i shpjegon të tëra...

 

 

 

                                     KU FRYHEN CIKAJT ME MISH?

 

 

- Mirë, ti ke preferuar të flsësh me ironi, ke vënë shumë njerëz në lojë dhe, në të shumtat e herëve, ia ke dalë në krye. Po ndonjë rast kur ke rënë edhe vetë në këtë kurth të bukur, kur ta kanë punuar e hedhur edhe ty, a mund të tregosh?

Oresti: - Si të të them... 

Leta, një e afërme e Orestit, që kujdeset për të:  - Lëre të ta tregoj unë, se Orestit ndoshta nuk i kujtohet, ose i vjen zor të tregojë...  Kur po ndërtonte shtëpinë e vjetër, ai u vu shumë në siklet dhe njerëzit tanë e ndihmuan shumë. Dikush i gjente tullat, dikush qerestenë, dikush çimenton, rërën e gëlqeren, dikush tjegullat, u bë këtu si në ato aksionet e njëhershme me punë vullnetare. Orestit iu bë qejfi shumë dhe iu premtoi të gjithëve se, kur të mbaronte puna, do të therte një viç dhe do t'iu bënte një drekë të madhe. Për këtë, ai bleu edhe një viç dhe nisi ta rriste. Për juve e kam, thoshte, prandaj, o burra, hidhuni, të mbarojmë punë sa më parë. Mbaroi shtëpia, viçi u rrit për merak, por atë punën e drekës ky e zvarriti dhe e zvarriti, deri sa, më fund, "e harroi" fare. Më mirë ta ther, ta shes mishin dhe të fitoj gjithë ato para, se sa të ma hanë qyl, mendoi.

Por Cikat, sidomos Fillua, Illiu, dajot e mi dhe të tjerët, nuk janë nga ata njerëz që mund t'ua hedhësh aq kollaj. Ata ia bënë benë dhe ruanin e mezi e prisnin ditën kur Oresti do të therte viçin. Dhe erdhi ajo ditë, dhe Oresti hapi fjalë se do të therte viçin dhe bëri listën e atyre që donin të blinin mish, dhe gjeti pastaj një kasap. Cikajt u bënë të gjithë bashkë dhe vendosën të bënin një marifet të bukur: Do të shkonin në shtëpinë e Orestit një nga një e dy nga dy, gjoja si krejt rastësisht dhe nuk do të shkuleshin prej andej pa e ngrënë të tërë viçin. Dhe, ashtu bënë. Trokit ata, ua, Oresti, po nga dole ti këtu, po si, po qysh, po tek... U mbush shtëpia me njerëz, filloi kënga dhe rakia. Dikush tha që të skuqnin ca nga mëçitë dhe të brendshmet e viçit të sapotherur, se nuk pihej rakia ashtu më të thatë. Epo, mirë, tha Oresti, të skuqim ca, por jo të tëra, se ca nga gratë e lagjes kanë kërkuar t'i blejnë. U skuqën mëlçitë sakaq dhe ata u derdhën si të limaksur dhe i bënë fyt brenda disa çastesh. Po tani? Hë, mo, të skuqim edhe ndonjë copë mish, se nuk bëhet kiameti... Ta skuqim, tha Oresti, por jo të tërë mishin, se kam bërë listën e atyre që kërkojnë të blejnë... Jo, jo të tërin, vetëm ca tule... Skuq e ha, skuq e ha, trokit gratë në portë dhe pyet se kur të vinin ta merrnin mishin e porositur, bërtit Oresti që të vinin më vonë, se tani i kishin ardhur njerëzit e tij, pi raki me opingë, ha, këndo, kërce, bëj shaka, fluturoi viçiiii...

E vërteta është se Oresti bëri ca naze dhe u mërzit në fillim, se e kuptoi që po ia hidhnin paq, po pastaj e mori edhe ai punën me shaka dhe nuk i mbante dot të qeshurat. Po bëre numra me të tjerët, prit të bëjnë edhe ata me ty, se hak pa marrë e gjak pa larë nuk mbetet në këtë botë...

- Është e vërtetë kjo, Orest?

Oresti: - E vërtetë, po Leta e zbukuron ca... Po viçin e bënë fyt Cikajt. Ka burrë që t'i ngopë ata me mish!... Ku fryhen ata?!... Çobanë hesapi...

- Gozhdë të paska mbetur ajo puna e viçit, o dajo, aq sa e kujton me dhimbje edhe sot...  Prandaj të thonë koprac ty. Cikajt ta kanë nxjerrë namin, ç'i do llafet...

Oresti: - Cikat, po kush. Kështu thoshin edhe për xhaxhain tënd, Leonidhën, po pse, mos e kishte keq ai? Shumë mirë e kishte! Po pse, more, vete kjo, që të punosh një jetë të tërë për mallin e gjënë tënde, ditën e natën, me duar e me thonj, herë ngrënë e herë pa ngrënë, i palarë, i paveshur, i lodhur e i rraskapitur dhe pastaj të vijë tjetri e të ta bëjë fyt brenda një ore? Nuk vete, po ç't'i bësh... Puna e madhe se më thonë koprac, s'ka qyl, s'ka ha Muço, pi Muço, atë që e kam fituar me djersën time dhe jo me hile e me gënjeshtra, e dua për veten time...

 

 

                                     TI JE EDHE MË I MARRË SE UNË...

 

- Ti, Polo edhe për mua thua nganjëherë se jam i marrë, pa përmendur gjithë ato epitete të tjera që më ngjit: Nastradin, Shvejk, njeri satanik e cinik, i pamëshirshëm e ku e di unë se çfarë tjetër. Po veten tënde, e ke parë ndonjëherë, mor djalë, e di ti se sa i marrë je, ç'karakter të ashpër, të vështirë e të pashtruar ke, aq sa, sikur të gjithë Cikajt t'i bësh bashkë, nuk i afrohen dot marrëzisë tënde. E ke menduar ndonjëherë këtë?

             - Nuk e kam menduar, të them të drejtën. Njeriu, më pak se çdo gjë në jetë, njeh vetveten. Më kanë thënë nganjëherë se jam një njeri i vështirë, me të cilin më mirë të mos kesh të bësh, por këtë e kam marrë më shumë si kompliment, se sa kritikë. Me përjashtim të Sofos e Arbenit, ti je nga të rrallët që ma thua këtë kaq hapur dhe kaq në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ti qofsh!...

            Oresti: - Epo, patjetër unë duhet të ta them, se të kam nip dhe të dua shumë. Dhe unë e kam prapë të drejtën të të pyes: Ke vuajtur ndonjëherë në jetë, të kanë dënuar shefat e mëdhenj për këtë karakterin tënd të vështirë dhe të pashtruar?

- Ohu, kam vuajtur aq shumë herë, sa po të nis t'i tregoj, do të më duhet t'i le kujtimet e tua dhe të nis një libër për vete.

Për koinçidencë ose për çudinë e çudive, shumica e dënimeve para viteve '90 kanë ndodhur për gjëra që lidheshin me emrin e Enver Hoxhës. Jo e ke fyer Enverin anglisht, më thoshin, kur unë edhe sot nuk di të formuloj asnjë fjali të saktë në gjuhën angleze, pa lëre të shaj, jo e ke deformuar me dashje mbiemrin e shokut Enver në faqen e parë të gazetës, jo e ke lënë me dashje një gabim në faqen katër, që të kompromentosh politikën ndërkombëtare të Partisë dhe mësimet e shokut Enver, jo po je liberal, jo ashtu, jo kështu. Lëre, ç'm'i kujton gjithë ato poshtërsi!

Oresti: - More, po kjo jeta jote qenka komedi, dramë e tragjedi bashkë. Çudi, çudi se si ke mbijetuar dhe ke arritur gjer këtu. Pa shih, të paskan dënuar gjithë ato herë për Enverin dhe ti prapë shkruan. I marrë, i pandreqshëm, çudan njeri, ja se ç'je ti!...

- Po pse, mo, Enveri më dënoi mua, ai i firmosi urdhrat që të shkoja një vit ushtar në Korçë apo gjashtë muaj komandant toge në xhenio, ai më hoqi nga ushtria në vitin 1992?!...

Oresti: - Ai jo, por këlyshët e tij, që ndërseheshin natë e ditë dhe ishin të gatshëm të të bënin edhe gropën, ç'i do fjalët.

- Epo, nuk ke çfarë të bësh kur fati të godet me shkelma, murit me kokë nuk i bihet...

Oresti: - Nuk i bihet, jo. Fati i njeriut është si paracaktuar dhe ndjek me kokëfortësi udhën e tij. Është e çuditshme, por fatet tona ngjajnë si dy pika uji dhe këtu sigurisht që edhe geni ka rolin e tij. Të dy kemi qenë të shkolluar e të talentuar, po kurrë s'na i dhanë atë që meritonim, asnjëherë nuk na vunë nëpër presidiume, asnjëherë nuk na zgjodhën delegatë, asnjëherë nuk na bënë shefa e drejtorë të mëdhenj dhe kjo e ka një kuptim, çoç do të thotë kjo ligësi e madhe njerëzore. Nuk na bënë, se na i kanë pasur frikën, se donin pranë vetes ca dele të bindura, që t'iu krihnin bishtin e t'iu thurnin lavde ditë e natë dhe jo rebelë si ne, që ta themi të vërtetën bramp! Në sy. Punë fati e punë djalli. Ta kam thënë, më duket, që neve na pagëzonte Urani Noçkia. Motrës sime të madhe i vuri menjëherë emrin e saj, ndërsa kur erdhi puna tek unë, nisi të vriste mendjen. "Hë mo, ç'e vret mendjen kaq shumë, - i tha Pavllua, djali i motrës së babait, që u ndodh aty pranë. - Vurja Resti, emrin e qenit që të ka dhënë Rexhua, se qen bir qeni do të bëhet edhe ky!..." Dhe, ai emër më mbeti. Emër qeni, që më vonë se kush i shtoi një O të madhe, për ta bërë më të pranueshëm. Dhe ashtu kanë dashur të më trajtonin, si një qen e bir qeni, por nuk ia kanë dalë kurrë në krye. Gjatë gjithë jetës, unë kam kërkuar e luftuar për më të mirën dhe gjithmonë e kam arritur atë që kam dashur. Ndoshta sepse që në fëmijëri u njoha me anët më të errëta të kësaj jete dhe u mësova të luftoj dhëmb për dhemb me të.

 

 

Janko Poga, komandanti i artilerisë së Pashallëkut të Janinës

Nga Miltiadh Muçi

Krahas zgjerimit të territorit, Ali Pashë Tepelena asnjëherë nuk e largoi vëmendjen nga ruajtja e kufijve prej sulmeve të ushtrive të huaja kundërshtare. Prandaj, me përsosjen e organizimit të Pashallëkut, ai vepronte që të përmirësonte sistemin e mbrojtjes. Një aspekt ishte ndërtimi i kalave. Kujdes të veçantë i kushtonte përgatitjes dhe stërvitjes së ushtrisë, duke zgjedhur komandantë vendas si Isuf Arapin, Ago Vasjarin e të tjerë, apo duke mbajtur afër specialistë të huaj. Në Prevezë Aliu kishte ngritur kantierin për të ndërtuar pesëdhjetë mauna,  që secila do të mbante tetëdhjetë luftëtarë, ndërsa në Bonile hapi shkollën për të përgatitur oficerët e këmbësorisë.

Ali Pashë Tepelena kurrsesi nuk do linte në hije dhe të nënvleftësonte artilerinë dhe kavalerinë, stërvitjet e të cilave bëheshin bashkërisht me praninë e instruktorëve italianë dhe nënoficerëve francezë. Ai ia besoi artilerinë lekëljotit Janko Poda, ose Qako Lekëljotit. Në 32 mushka mbarteshin gjashtëdhjetë topat malorë për t'i vendosur në pozicionet e duhura për luftime.

Në flotë ekzistonin dy anije lufte dhe disa barka të armatosura që secila kishte nga një top. Në rast se Ali Pasha do sulmohej, anijet prisnin të gatshme në gjirin e Prevezës. Grykat e topave malorë fiksoheshin në samarë mushkash të përgatitur posaçërisht. Kavaleria e lehtë dhe artileria lëvizëse ishin formacionet më të reja, të futura për fuqizimin e trupave të ushtrisë së Pashait të Janinës, sipas shembullit të forcave ushtarake më të mëdha e të fuqishme të Evropës.

Jankoja, natyrisht, nuk e kishte famën e Thanas Vajës, dhe as autoritetin e tij, por, gjithsesi, detyra që i besoi Ali Pashë Tepelena kishte vlera të mëdha, sidomos në situata të luftës për të cilat Veziri përgatitej, nëse do të ishte i detyruar nga kundërshtarët e huaj. Padyshim që Pashai kishte parë te Jankoja lekëljotin besnik, të vendosur dhe trim, njëlloj si te Thanasi. Jankoja dhe Thanasi nuk ishin vetëm bashkëfshatarë, por edhe më shumë, duke qenë bashkëmoshatarë; prandaj edhe Pashai e zgjodhi Jankon. Thanasi e Jankoja ishin rritur bashkërisht në lagjen më të afërt me qendrën e Leklit, sheshin e Çikurit, e cila quhet edhe sot "Kondukaj".

Jankua dhe Thanasi banonin shumë afër njëri-tjetrit, dhe fëmijërinë e rininë e tyre e kaluan duke luajtur vazhdimisht me moshatarët e tjerë. Kur u rritën luftuan bashkë pa u ndarë asnjëherë. Edhe pas vdekjes trupat prehen shumë pranë, të vendosur mbash kishës së Shën Dëllisë, më "shikimin" në drejtim të qendrës së Pashallëkut, Janinës. Të dy së bashku, Thanasi dhe Jankoja, i bëjnë nder të madh vendlindjes së tyre, Leklit, prandaj lekëljotët i respektojnë, për të mos u harruar nga brezat e sotëm dhe te tjerët që do të vijnë. Ata iu tregojnë të huajve me krenari për luftëtarët që sakrifikuan për të krijuar dhe forcuar shtetin e tyre.

Lakminë që kishin pasur të pasurit e fshatit për vendin më të zgjedhur, ku, në shenjë respekti, u vendos trupi i Jankos nga bashkëfshatarët e tij, lekëljotët e shprehën në vargje:

Ngrehu Janko nga varri

Të futet nofulladali

Se kështu ta bëri djali

Ah e marrtë një plumb të balli

Por kjo  kurrsesi nuk mund të ndodhte, sepse nëse vërtetë do të donte djali i tij ta shiste vendin e babait Janko, nuk do ta lejonte vajza, dhe, veçanërisht bashkëfshatarët.

Jankua dhe Thanasi  u përkisnin të gjithëve, jo vetëm të afërmve të familjeve të tyre, Pogajve dhe Vajave, por krejt Leklit dhe lekëljotëve.

 

                           

 

DY SKICA NGA KOÇO LANI


                                    NJERIU QË JETOI NË DY SHEKUJ

 

            E për kë mund ta kem fjalën tjetër, veçse për xha Lame Kuzhgjinin, me këtë titull që vura në krye të shkrimit? Sa herë që më kujtohet ai plak i bekuar, mendja nis të punojë vetvetiu për historinë e fshatit tonë, për mbiemrat e njerëzve e fiseve dhe toponimet e lashta të vendeve. Tani ka filluar të shkruhet se Labova jonë është krijuar nja dyqind a më shumë vjet para lindjes së Krishtit dhe ky është nj fakt që të tundon e të mbush me krenari, por deri para disa vitesh, ne nuk dinim ndonjë gjë të saktë. Njhinim veçse një dokument të sjellë në dritë nga i paharruari Lefter Dilo, ku thuhej se, në vitin 1400, Labova ka pasur 119 familje me kryefamiljarë dhe 9 familje me vejusha, domethënë plot 128 familje, që i paguanin taksat qeverisë turke.

            Edhe mbiemrat e fiseve të fshatit tonë dhe disa nga emrat e lashtë që përcillen nga brezi në brez, përbëjnë një histori më vete, që nuk i dihet fillimi. Disa nga këta mbiemra, ose fise, si Kushgjinaj, Gjikëdhimaj, Gjokthomaj, Gjikaj, Mënkshaj, Dedegjonaj e të tjerë, thuhet se kanë ardhur nga Veriu i vendit dhe këtë e përforcon edhe fakti se shtëpitë e tyre janë ndërtuar zakonisht në periferi të fshatit, ku ka pasur dikur vende e toka të lira për të ndërtuar dhe për të hapur kopshte e ara bujqësore. Kushgjinaj, për shembull, i kanë pasur shtëpitë e vjetra në fund të fshatit, në vendin që sot i thonë thjesht Gërmadha, Mënkshaj në të djathtë të tij, përtej përroit e kështu me radhë. Natyrisht, ka edhe mendime të kundërta. Ka njerëz që thonë se, deri përpara ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, pjesë e së cilës ishte edhe Iliria, e gjithë popullsia ishte katolike dhe pra, ishte krejt e natyrshme që emrat e mbiemrat e mësipërm të haseshin njëlloj nga Jugu në Veri. Këtë ndoshta e dëshmon edhe emri i kryezotit të hershëm të Gjirokastrës, Gjin Bue Shpata, për të mos përmendur Gjin Zenebishtin.

            Por, mjaft me këto përsiatje të vështira, që mendja dhe mosha ime nuk mund t'i përballojnë e t'i ndjekin me lehtësi gjer në fund. Tani, ka ardhur radha të flas konkretisht për xha Lamen, i cili ka qenë ndoshta një nga njerëzit që dinte më shumë për historinë e fshatit dhe ato që thoshte tingëllonin shumë të besueshme. Me sa dimë, ai ka lindur diku aty nga viti 1883 dhe ka vdekur në vitin 1970.  Ai lindi në një familje të varfër, si shumica e familjeve labovite. Që i vogël, kishte një cen në këmbë dhe prandaj bamirësit Zhapa, doemos Kostandini dhe të tjerët pranë tij, se në atë kohë i madhi Vangjel Zhapa nuk jetonte më, e morën në Greqi për ta operuar. Kështu bënë, por operacioni nuk pati shumë sukses. Në Greqi, xha Lamen e dërguan në shkolla të ndryshme, deri sa e bënë një kuzhiner e pastiçier të shkëlqyer. Po në Greqi, ai mësoi edhe sekretet e një mjeku popullor për ortopedi dhe, të përgatitur në këtë mënyrë, Lame Kushgjini e dërguan përsëri në Labovë, si kujdestar të pallateve Zhapa dhe të njerëzve e pasurive që kishin ata këtu. Dhe kjo ishte një zgjidhje e mençur, sepse ishte e vështirë të gjeje në të gjithë krahinën njeri më të përshtatshëm, më korrekt dhe më nikoqir për këtë punë. 

            Xha Lamia, e kreu detyrën e kujdestarit në pallatet Zhapa ndoshta deri në mbarim të Luftës Nacionalççlirimtare dhe pastaj u tërhoq në punët e tij. Kishte të afërt në fshat dhe në Tiranë, por vetë, për shkaqe të njohura e të panjohura, nuk u martua asnjëherë dhe nuk la trashëgimtarë. Bënte përgjithësisht një jetë të vetmuar, ishte një nga psalltët më të shkëlqyer të Labovës, iu mësonte grave  të fshatit sekretet e gatimeve të veçanta, hapte me lehtësi petë për byreqe dhe dinte të bënte ëmbëlsira të mrekullueshme, i thurte edhe më mirë se gratë çorapet, fanellat dhe bluzat e tij prej leshi, por pasioni i tij i madh ishte natyrisht mjekimi i thyerjeve të kockave. Janë të shumtë njerëzit që ka mjekuar dhe shëruar xha Lamja dhe unë vetë kam qenë i pranishëm në dy-tre raste. Një mbesa ime në Durrës, theu aksidentalisht këmbën. Vajti tek disa mjekë të përmendur, u shtrua disa herë në spital, ia vunë dy herë  këmbën në allçi, por nuk pati përmirësime. E prunë më në fund në Labovë, tek xha Lamja. Ai e vizitoi me kujdes, me ato metodat e tij, ia theu këmbën edhe një herë, ia vuri kockat e thyera në vend dhe pastaj ia mbështolli me jaki dhe, pas disa muajsh, vajza mund të ecte e të kërcente për mrekulli, si ato zanat e malit. Një herë tjetër, i ndjeri Koço Piperi kishte thyer nofullën. Pa e zgjatur shumë, erdhi tek xha Lamja, i cili, në prezencën tonë, ia kapi me gishtat e mëdhenj në një mënyrë të veçantë dhe ia vuri në vend. Të tilla mjekime e shërime xha Lamja ka bërë me qindra, disa nga ata që janë shëruar prej tij jetojnë edhe sot dhe mund ta dëshmojnë këtë më sdë miri.

            Një nga cilësitë e tjera që e dallonin xha Lamen, ishte humori. Atë që nuk mund ta thoshte dot drejtpërdrejt, xha Lamja e thoshte me humorin e tij disa herë edhe të hidhur dhe askush nuk ia merrte këtë për keq. Ai thoshte për shembull: Ç'bëra, korba, s'e bëj më, / E kam huq e dot s'e lë..." dhe kuptoj menjëherë se për kë e kishte fjalën, për gratë bishtdredhura dhe burrat e paqëndrueshëm, që nuk e mbanin fjalën dhe bënin përherë të njëjtat gabime. Ose: "E, eee, Selanik e tatëpjetë, / Siç ka qenë e do të jetë..." thoshte ai kur binte fjala për regjimet dhe qeveritë që ia linin vendin njëra-tjetrës dhe koha e tregoi se sa të drejtë kishte me këtë mënyrë të shprehuri. 

            Siç thamë, xha Lamja nuk u martua asnjëherë. Sa ishte gjallë, ai jetoi në familjen dhe shtëpinë e njërit prej labovitëve më të njohur për humanizmin dhe shpirtin e tij të madh, Telo Vodës. Ai iu përkushtua kësaj familjeje me gjithë shpirt, i deshi shumë fëmijët e saj, bëri sa mundi për rritjen dhe edukimin e tyre dhe ata ia shpërblyen me të njëjtën mënyrë: e deshën dhe e trajtuan deri në fund si një nga njerëzit më të afërt të familjes. Ata e përcollën për në banesën e fundit, ata ia bënë më vonë edhe varrin, ku xha Lamja prehet tashmë i qetë dhe i patrazuar në vetminë e tij. Edhe ne, bashkëfshatarët e moshuar, nuk e harrojmë xha Lamen. Dhe, sa herë që shkojmë në varreza për t'u çmallur me të afërmit tanë, nuk harrojmë të kthehemi edhe tek ai e të ndezim një qiri, në shenjë respekti e dashurie.

 

 

                                          NË KËRKIM TË RRËNJËVE

 

            Prishja më e tmerrshme për Labovën në të gjithë historinë e saj, ndodhi në Luftën e Dytë Botërore e sidomos gjatë Operacionit famëkeq të Qershorit të vitit 1944. Mbi 95 për qind e shtëpive të fshatit u dogjën e u shkrumbuan me gjithçka që kishin brenda, u zhdukën të gjitha mjetet e punës, u shkretuan gjëja e gjallë, arat e kopshtet dhe çdo gjë tjetër e nevojshme për të jetuar.

            Shumë nga banorët e atëhershëm, nuk e përballuan dot katastrofën. Ata e patën të vështirë ta fillonin çdo gjë nga e para dhe preferuan të shtegtonin drejt qyteteve kryesore të vendit, ku ndoshta do ta kishim ëë të lehtë jetesën. Një nga ata që u nis në këtë rrugë pa kthim, ishte edhe Pilo Sevi, që u shpërngul në Vlorë së bashku me dy djemtë e tij, Pilon e Zajarinë dhe të bijën e vetme, Ulinë.

            Fëmijët duhen njëlloj të gjithë, por xha Pilua u lidh më shumë me të voglën, Ulinë, të cilën e mori nga fshati për në Vlorë në shpërgënj dhe e rriti me shumë dashuri. Sa hera që i jepej rasti, ai i tregonte vajzës për Labovën, që, sipas tij, ishte fshati më i bukur në botë. Atje ishin rrënjët e tyre, megjithëse tani nuk kishte mbetur ndonjë i afërm, atje kishin lënë gërmadhat e shtëpisë, kopshtet, arat dhe pemët, atje edhe buka thatë hahej më e ëmbël se kudo dhe uji i krojeve ishte më i kulluari, nga ai fshat ishin njerëzit më të mirë e më bujarë të racës shqiptare, që kishin bërë emër nëpër botë, në Greqi, Turqi, Rumani e në Amerikë... Labova, Labova dhe kurdoherë Labova..., xhaq Pilua nuk dinte t'i thoshte vajzës ndonjë fjalë e emër tjetër dhe kështu u rrit ajo, me dashurinë dhe mallin e pashuar për fshatin e saj të origjinës.

            Mbaroi shkollat e kohës dhe nisi nga puna në fabrikën e llampave elektrike, deri sa doli në pension. U martua me një djalë nga fshati Çorraj i Kurveleshit, Theodhori Dhimpalin, që, njëlloj si ata, kishte ardhur familjarisht në Vlorë. Krijoi familjen e saj, njohu gëzime e hidhërime, u përplas me dallgët e jetës, u dekorua, u nderua e më në fund ndoshta edhe u harrua, por fshatin e saj të origjinës, rrënjët dhe degët e saj nuk i hoqi kurrë nga mendja.

            Meraku, thonë, malli dhe nostalgjia, e mplakin dhe e sëmurin njerinë. Kështu ndodhi edhe me Ulinë, e cila një ditë u sëmur rëndë, aq sa ishte në rrezik për jetën. I ra papritur infarkt. Pas shpëtoi nga më e keqja, ajo iu lut të shoqit ta çonte një herë  në Labovë. Ta shihte përsëri atë vend të bekuar ku i kishte rënë koka, pa pastaj le të bëhej ç'të bëhej. Mirë, moj grua, të çoj unë në Labovë dhe më tej, ku të duash, por ti më ke thënë se në fshat nuk keni ndonjë të afërm tuajin, ku do ta fusim kokën, qoftë edhe për një natë?!...- i tha me butësi i shoqi. Epo, do ta gjejmë një vend, do të gdhihemi në hajat të kishës në fund të fundit, se më kanë thënë që është shumë i mirë, e kanë bërë të ri. Kot e fat, si i thonë, ata morën rrugën dhe erdhën më fund në Labovë. Pyet andej, pyet këndej se ku e kishin pasur shtëpinë Sevajt, askush nuk dite t'iu thoshte ndonjë gjë të saktë. Vetëm Koço Lani mund ta dijë, iu thanë dhe ata trokitën më në fund në portën time. Pasi u përshëndetëm, u njohëm dhe bëmë zakonet e mikpritjes, më treguan arsyet e asaj vizite të papritur dhe unë ndjeva të më lëvizte diçka e çuditshme brenda vetes, u mallëngjeva e u përlota dhe mendova me krenari se Labova nuk do të humbasë e nuk do të harrohet kurrë, përderisa të ketë të tillë njerëz të mrekullueshëm, që ngrihen edhe nga shtrati ku lëngojnë për të kërkuar rrënjët dhe degët e tyre. E admirova atë grua të rrallë labovite për gjestin e saj dhe ia shfaqa hapur gjithë respektin dhe mirënjohjen time.

            Por Ulia Sevi (Dhimpali), nuk është e vetmja që është kthyer në Labovë pas shumë e shumë vitesh. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Kosta Noçka nga Janina, Koço Kondili nga Korça, kanë ardhur madje edhe nga Amerika e largët. Ç'të thuash më tej për këta njerëz, cila është ajo forcë e çuditshme, çfarë i shtyn ata të marrin një ditë udhën papritur dhe të vijnë në këtë vend gati të harruar? Respekti dhe dashuria për të parët e tyre, fryma atdhetare, malli për origjinën, do të thosha, për t'i mbyllur këto rreshta. Dhe të mendosh pastaj, se këtu afër, në Gjirokastër, Tepelenë e Memaliaj ka njerëz që përtojnë të bëjnë disa dhjetra kilometra për të ardhur gjer këtu...

 



Bankieri dhe filatelisti lekliot, Neofit Ciko

 

Nga Elona Ciko (Banda)

Është viti i dyte  që lexoj rregullisht gazetën e Shoqates "ODRIE-GOLIK", ku botohen shkrime dhe për Leklin, vendlindjen e gjyshit Harilla. Disa shkrime me kujtojnë çfarë më ka treguar babi Leonidha, që pak vite më parë fatkeqësisht ndërroi jetë.

Shumë nga tregimet  e tij më duken me të besueshëm, sidomos për zakonet dhe natyrën e bukur të Leklit. Ai do të na çonte në Lekel, do të kisha mundësinë ta shikonim një dite, bashke me mami Jolanden dhe vëllanë Oltion. Më shume se për çdo gjë, më kishte folur për fisin Ciko, xhaxhallarët dhe hallën,ne veçanti për xhaxha Neofitin që e respektonte më shumë se të tjerët, sepse u pleqërua në familjen tonë, i pa martuar ndonjëherë.

Kohët e fundit, mami Jolanda dhe xhaxha Filipi, nuk më kanë lënë rehat, që të përgatis një shkrim për fisin Ciko të Leklit, sepse sikurse me kanë thëne, nga ky fis ndodhen edhe në Labovë e Hundkuq. Po kështu, xhaxha Miltiadhi sa herë që sjell gazetën "ODRIA", ku punojmë familjarisht me këshillon të shkruaj diçka për Cikajt e Leklit, prandaj dhe vendosa të përgatis ketë shkrim. Më duheshin dite, jave dhe muaj të kërkoja dhe të mblidhja materialin e nevojshëm, pas bashkëbisedimeve me shume lekliotë që kam njohur. Kushdo që kam pyetur u tregua i gatshëm dhe me ndihmoi për aq sa dinte.

Ka gojëdhëna të ndryshme për prejardhjen e fisit Ciko. Sipas Nasho Bezhanit, i cili thuhet se ka studiuar dhe lëne dorëshkrime për prejardhjen e fiseve të Leklit, fisi Ciko ka ardhur nga Cerriku i Elbasanit, emrin e të cilit ka marrë lagja pranë kalasë në kodrën e Shën Mëhillit, Cerrika. Ndërsa për Orest Cikon nga Labova, fisi Ciko është vendosur në Hundkuq në fund të shekullit XVI ose në fillim të shekullit XVII, i ardhur nga rrethinat e Athinës dhe i shpërndarë në fshatrat Labovë, Tranoshisht e Lekël, pasi janë marrë shumë me blegtori dhe përpunimin e produkteve të saj.

Midis Cikajve të Hundkuqit me i dëgjuar u bë Sevua, që me pjesëtarë të fisit dhe disa ortodoks të Lunxhërisë, krijoi trupën e armatosur me 50 kleftë, të cilët u shtuan më shumë. Bashkë me kleftët e një leiklioti të fisit Vaja, morën përsipër të mbronin fshatrat e Rrezës nga sulmet e hajduteve të Labërisë, të cilët tentonin edhe të përdhunonin.

I pari i Cikëve që u be banor i Leklit, ishte Vasili. U martua me leklioten Zoica të fisit Pjetra i asimiluar, por ekziston toponim. Neofoliti u lind ne vitin 1892 dhe ishte fëmija i parë i Aleksandërit, midis katër vëllezërve dhe motrës Maro që u martua me Jani Pogën. Një emër i dëgjuar në shumë breza të fisit Poga, pas komandantit të artilerisë të ushtrisë se Ali Pashë Tepelenës, që në ditët e sotme e trashëgon njeri nga djemtë e Panajot Poges, berberit simpatik të fillimit të rrugës së Dibrës, dikur. Neofiti dallohej për urtësinë, qetësinë dhe perfektesinë, sidomos në lëndën e matematikës e fizikes, të gjeografisë e historisë në shkollën plotore greke të Lekit. Nisi të rritej para moshe, sikurse thuhet për ata me zhvillim mendor, sjellje dhe arsyetim më të lartë se të viteve të lindjes.

Edhe pse i vogël, detyrohet të largohet nga Lekli në drejtim të Vlorës, i ndihmuar nga lekliotët me punë e banim në ketë qytet, ku në nëntorin e vitit 1912 u ngrit flamuri i Pavarësisë nga pushtimi osman. Ishte 20 vjeç kur u ndodh përball ballkonit që Ismail Qemali shoqërohej nga përfaqësuesit e gjithë krahinave dhe shpalli mëvetësinë. Por, Neofiti nuk u ndodh në grumbullin e madh të banoreve të Vlorës dhe të ardhurve nga mbarë Shqipëria. Sikurse i kujtohet mbesës se tij, Lolës, nga bisedat ka mësuar se ai ishte i ngarkuar me detyrën e ruajtësit të rendit, një mundësi që ju dha disa djelmoshave të tjerë. Ndoshta e kishte përzgjedhur nga lekliotët e Vlorës, Perikli Gjikondi apo Kostandin Kondili, por mund të ketë qene dhe përzgjedhja e mjekut Theodhos Llukani apo mësuesit Thomo Papapano, mbështetësit më të afërt të Qeverisë së Vlorës dhe kryetarit të saj.

Pas disa vite pune në Elbasan, Neofiti nisi karrierën e re të bankierit dhe ku, veç Bankës së Shtetit Shqiptar në Tiranë, aty bëhet nga nëpunësit me të besuar jo vetëm të kohës së Mbretërisë së Zogut, por edhe me pas, për mos tu shkëputur as pas çlirimit të vendit, deri në ditët që doli në pension disa vite pas plotësimit të moshës.

Djali i kushëririt të Neofitit, Fillo Ciko, në kujtimet e luftës Nacionalçlirimtare shkruan, se vëllai Petro me punë në Postë-Telegraf dhe banim në Durrës, bëhet korrier i njësitit gueril të qytetit, anëtaret e të cilit takoheshin shpesh në shtëpinë e Ksenofonit, vëllait të Neofitit. Për ketë veprimtari, Petrua dhe aktiviste të tjerë arrestohen, por me ndihmën e Neofitit që pagoi një shumë lekesh për përfaqësuesin e Regjencës Fashiste, lirohet dhe u largua për në Vlorë.

Me bisedat me të afërmit, sidomos me xhaxhanë Filip, në familjen ku u pleqërua deri në moshën 83 vjeç, kam mësuar se Neofiti ka qene midis filatelisteve të rrallë të pullave postare. Në fletët e albumit të përgatitur posaçërisht, ruante qindra pulla të dhjetëra shteteve nga të gjithë kontinentet, që i kishte mbledhur me shumë kujdes për shumë vite nga korrespodenca me dhjetëra pasiononte si ai, brenda dhe jashtë vendit. E kishte nisur koleksionin në rininë e tij, pa e ndërprerë deri në vitet e fundit të jetës. Thuhet se ketë pasuri të vetme, e ka trashëguar nipi Qirjako që banon në Durrës.

Portretin për bankierin dhe filatelistin lekliot Neofit Ciko, do ta mbyll me disa lekliotë të brezit të tij, që kanë banuar në Tiranë, të cilët takoheshin thuajse çdo të diele. Ishin burra që ta kishte ‘‘enda" të dëgjoje bisedat e shtruara, ti shikoje me sa shumë shije visheshin, që të ndodheshe pranë kur komunikonin me këdo që takonin, se sa shumë të kujdesshëm tregoheshin, sikurse me ka treguar baba Leonidha. Ndonjëri prej tyre të jepte përshtypjen se kishte ardhur para pak ditësh, i kthyer nga kurbeti i largët përtej Atlantikut. Këta ishin Fone Gjileku e Prokop Bezhani, Taqe Leska e Mihal Muçi dhe ndonjë tjetër që të afërmit të më falin nëse nuk i përmend në këtë shkrim, por një dite për të gjithë ose veças me siguri do të shkruaj. Ti rikthej në kujtesën e atyre që i kanë njohur sadopak, pse jo për tu njohur edhe nga brezi lekliot me i ri, me shumë kënaqësi. Prandaj dhe ne kemi vendosur si familje, atë që nuk arritëm ta realizojmë me babi Leonidhen, shumë shpejt do ta realizojmë me xhaxha Filipin. Do të shkojmë të shikojmë Leklin, të egër nga shkëmbinjtë e thepisur, mahnitës me horizontin përreth.

Tiranë, shtator 2009

 

 

 

                                                             

Humoristike

PËRMALLIMI*

Nga Niko Gjoni

 

Ç'është kjo që na ka ngjarë?

Shkoi behari pa u parë,

Vane javë, vanë muaj,

Dhe u bëmë si të huaj,

Gjithkush bën qejfin e vet,

Ca në mal e ca në det,

Ca me punë, ca pa punë,

Nga e hëna në të shtunë.

 

Ka ndonjë që shkon në lumë,

Sepse peshkun e ha shumë,

Pret të tundet ky kallami,

Në shtëpi po pret tigani,

Ka të tjerë jashtë shtetit,

Tej kufirit e përtej detit,

Por do kthehen s'është punë,

Kot  nuk thonë gusht e gunë.

 

Nuk rrimë dot kështu të ndarë,

Sepse s'jemi katundarë,

Por nga Lekli gjithë lezet,

Ish' qytet përmbi qytet.

 

Kush i prin Leklit në ballë,

Lekëliotë trima të rrallë,

I ka bekuar Perëndia,

Nuk i ka harruar historia.

 

 

Kurrsesi nuk jam i huaj,

Për lekliotët rri e shkruaj,

Dhe për Leklin më merr malli,

Vallë si do t'i vejë halli?

 

Rrjedh koha si një lumë,

Malli më ka marrë shumë,

Ta shoh sheshin, urën, kishën,

Dhe në Gurë të lag këmishën.

 

Që të heq këtë mërzi,

Atje do të ngre shtëpi,

Që të gjithë ta shikojnë,

E të vijnë të ndërtojnë.

 

Bagëtinë e kam qejf shumë,

Do ta bëj dhe këtë punë,

Do të ngre tufë me dhenë plot

Të dal malit per kullot.

 

Qumështi i freskët më pëlqen,

Të mbush kovë, të mbush enë,

Në dybek ta tund me mall,

Të krrej gjalp, të krrej dhall.

 

Mishi i pjekur më pëlqen,

Raki pi dhe me legen,

Por dhe verën s'e kam inat,

Mund ta pi dhe në krevat.

 

Edhe peshkun e ha keq,

Halat një nga një i heq,

Qoftë peshk deti apo lumi,

Pse jo dhe akuariumi.

 

Për të ngrënë kam dhe huqe,

Pëlqej dhipla e këmkuqe,

Ndonjëherë baj sakrifica,

Ha dhe dardhë e gorica.

 

Dëshiroj të jem dhe prift,

Mjekërbardhë  mustaqezift,

Në mos prift, si kryeplak,

Do ta bëja pa merak.

 

Do  shkoja  ne cdo shtepi,

Për një kafe me raki,

S'dua shumë nga një vezë,

Të më sjellin çdo mëngjes.

 

Ja, të gjitha këto plane,

Mendoj shpesh kësaj ane,

Si këndes dua të këndoj,

Lekëliotët nga gjumi t'i zgjoj,

 

Shumë të tjera do të themi,

Kur në Lekël do të vemi,

Këto qene për 6 shtatorin,

Erdh Dite e bukur që na mblodhi.

 




                          Tirane,  6 shtator 2

                         Kushtuar ditës së rikthimit në takimet lekëliote të Tiranës, pas ndërprerjes së muajve të nxehte te  verës.

 

                                                   TE KUJTOJ E QAJ ME LOT

Liri Hoda

 

Ne që jemi larg Atdheut, në Shtetet e Bashkuara te Amerikes,

i kujtojmë dhe i kuptojmë  mirë fjalët e poetit të madh, Cajupit:

"Ku është balta, më e ëmbël se mjalta?

-Në Shqipëri!...

  Eh, sa të drejtë paska patur poeti!

 

 

Fshatin tim kujtoj me mall,

Ditë për ditë kudo që jam,

Kur gjumi vjen në qepallë,

në sy ëndër fshatin kam.

 

Sa vite që jam larguar,

As një ditë s'e kam harruar,

Dua të vete e s'vete dot,

Ndaj kujtoj e qaj me lotë.

 

15 vitet e rinisë,

Kam kaluar në atë fshat,

Pranë familjes, shoqërisë,

E gëzuar ditë e natë.

 

Nga zemra më dolën fjalët,

I shkrova me nostalgji,

Atje ku shkova rininë,

Të këndoj në pleqëri.

 

 O ballkoni i Lunxhërisë

 

 

Fshati im në majë të bregut,

Gjirokastra për karshi,

O ballkoni i Lunxhërisë,

Sa i bukur më je ti.

 

Je i vogël dhe i mbledhur,

Vetëm me 40 shtëpi,

Njërës me zemër të madhe,

Me të rrallë bukuri,

 

Të shkolluar me zanate,

Me Labovën bënë krushqi,

12 vajza nga Gjati,

Kanë vajtur nuse aty.

 

Malli më ka marrë shumë,

Dhe prapë unë aty do vij,

Të të shoh e të kënaqem,

Si njëherë në vajzëri.

 

Se aty më ka lerë koka,

Dhe ma vunë emrin Liri,

Prandaj jam shumë e malluar,

Dhe kam shumë nostalgji.

 

 

 

AUTORË DHE BOTIME

          Tatjana  Sini (Llukani).

 

Lindur më 4 Janar 1952 ne   Vlorë, në një familje me origjinë  nga Lekli.  Ka mbaruar Fakultetin Ekonomik te Tiranes.

llo Foto

llo Foto, ka lindur në Tërbuq. Ka mbaruar gjimnazin "Asim Zeneli" Gjirokaster dhe me pas, Institutin e larte bujqesor,  ku u diplomua zooteknik. Aktualisgt eshtë pensionist dhe banon në SHBA. Është autor i 9 librave profesional.